Saturday, March 16, 2013

UNË BESOJ …


               Në 150 vjetorin e lindjes së pedagogut të madh amerikan Xhon Djui (John  Dewey)

                                                                    UNË BESOJ …

John Dewey

XHON  DJUI-PEDAGOG I MADH AMERIKAN DHE BOTËROR

Xhon Djui është pedagogu më i shquar amerikan dhe njëri ndër pedagoget më të shquar botëror. Ai u morr edhe me filozofi, sociologji, psikologji, politikë etj. Djui ishte themeluesi dhe bartësi kryesor i pedagogjisë dhe shkollës pragmatiste. Ai u përpoq për shkollë për fëmijë dhe jo për fëmijë për shkollë. Djui konsiderohet mësues i popullit amerikan. Pedagogjia e tij kërkon rrugë dhe forma për të përgatitur dhe aftësuar brezin e ri për t’iu përshtatur shoqërisë amerikane dhe për ta zhvilluar ate, por njëkohësisht ajo solli ndryshime epokale edhe në shkollën e pedagogjinë tradicionale evropiane dhe më gjerë.

Biografia - Xhon Djui u lind më 20 tetor të vitit 1859 në Berlington ( Vermont ) të SHBA-ve nga babai Archibald dhe nëna Lucina.[1] Pasi kreu shkollën fillore dhe shkollën e mesme në vitin 1875 në moshën 16 vjeçare i filloi studimet në Universitetin e Vermontit në Berlington ku në vitin 1879 në moshën 20 vjeçare edhe diplomon. Gjatë kësaj periudhe ai u influencua prej pikëpamjeve të G.H.Perkinsit dhe të evolucionistit të madh anglez T.H.Huxleyt e sidomos nga teksti i këtij të fundit Lessons in Elementary Physiology (Mësime në Fiziologjinë Elementare). Në perfeksionimin profesional të Djuit kishte një rol vendimtar edhe kontaktet e tij me profesorin e filozofisë H.A.P.Torrey.[2] “Nga viti 1879 gjer në vitin 1881 Djui punon si mësues në një shkollë të lartë në Oil City të Pensilvanisë”[3]
Po në vitin 1879 Djui shkruan dhe boton eseun e parë në revistën Journal of Speculative Philosophy gjë që i dha kurajë për të vazhduar studimet posdiplomike në Universitetin Johns Hopkins të Baltimorit.[4] Në këtë universitet ai pati fatin të ishte student i tre intelektualëve dhe shkencëtarëve më të mëdhenj të asaj kohe në SHBA siq ishin : George Sylvester Morris, filozof amerikan nën ndikimin e Hegelit, Stanley Hall psikolog eminent i asaj kohe në ShBA[5] si dhe Charles Sanders Peirce profesor i logjikës[6]. Në vitin 1884 Djui doktoron në temën Psikologjia e Kantit "The Psychology of Kant".[7] Në përgjithësi Djui ishte nën ndikimin dhe frymëzimin e filozofëve të mëdhenj të kohës si Platoni, Zhan Zhak Ruso, G. W. F. Hegeli, Çarls S. Pirsi, Uiliem Xhemsi dhe Gjorgj T. Ladi.[8]
Në periudhën 1884-1894 Djui ishte profesor në Universitetin e Miçigenit me përjashtim të vitit 1888 kur ishte profesor në Universitetin e Minesotas. Gjatë veprimtarisë së tij në këtë institucion ai shkroi edhe dy librat e tij të parë si Psychology (1887), dhe Leibniz’s New Essays Concerning the Human Understanding (1888)[9] Në vitin 1894 ai u emërua drejtues i departamentit të filozofisë, pedagogjisë dhe psikologjisë në Universitetin e Çikagos, ndërsa në vitin 1896 së bashku me bashkëshorten e tij themeloi “shkollën laborator” pranë këtij universiteti e e cila ishte shkolla e parë eksperimentale në Amerikë,( këtë shkollë E.Klapareidi e konsideron si shkollën e parë eksperimentale në përgjithësi). Në këtë institucion të psikologjisë së aplikuar, Djui u përpoq për jetësimin e pikëpamjeve të tij pedagogjike. Në vitin 1899 zgjedhet  kryetar i Shoqatës së Psikologëve Amerikanë kurse në vitin 1904 bëhet kryetar i Shoqatës së Filozofëve Amerikan. Nga viti 1905 e gjer në vitin 1929 vazhdon punën si profesor në Universitetin e Kolumbisë kur edhe pensionohet mirëpo veprimtarinë tij e vazhdon edhe më tutje si profesor emeritus deri në vitin 1939[10]. Gjatë periudhës sa punoi si profesor në Univeristetin e Kolumbisë, tashmë si pedagog i afirmuar ai udhëtoi edhe jashtë SHBA-ve për të mbajtur ligjërata si p.sh. në vitet 1919-24 në Japoni si dhe në Kinë ku për rreth dy vjet mbajti ligjërata në Universitetin e Nankingut në Pekin, 1924 në Turqi (në kohën e Kemal Ataturkut), 1926 në Meksikë, 1928 në ish BRSS etj.[11]
Xhon Djui vdiq më 1 qershor të vitit 1952 në moshën 92 vjeçare në Nju Jork. 

Pragmatizmi- Xhon Djui konsiderohet si njëra ndër tri figurat kryesore të pragmatizmit, ( së bashku me Çarl S. Pirsin - Charles S. Peirce dhe Uiliem Xhemsin - William James ) edhe pse ai kurrë nuk e quajti veten pragmatist. Filozofinë e tij ai e quajti “instrumentalizëm”. Pragmatizmi i Djuit ka ngjashmëri me progresivizmin me të cilin shpeshherë edhe identifikohet. Kjo filozofi u quajt edhe me emra të tjerë si eksperimentalizëm, empiricizëm, funksionalizëm, natyralizëm e rekonstruksionizëm. Këto emërtime vetëm sa i pasqyrojnë më mirë pikëpamjet e tij filozofike mbi teoritë e njohjes dhe të përvojës.[12] Termin pragmatizëm ( nga fjala greke pragma , që do të thot veprim, aksion ) për herë të parë e përdori Ç. Pirsi (në vitin 1878), kurse pasuesi tjetër i tij U. Xhemsi, e konsideron pragmatizmin si metodë për zgjidhjen e problemeve. Esenca e pragmatizmit qëndron në atë se ai dhe ithtarët e tij e pranojnë vetëm të vërtetën shkencore dhe atë teologjike. Sipas kësaj filozofie, të cilën e përpunoi më vonë, në mënyrë më të plotë Djui, nuk ekziston vetëm një botë, por shumë sosh, e të cilat varen nga përvoja subjektive.[13]

Pedagogjia- Pikëpamjet e tij pedagogjike Xhon Djui i paraqiti fillimisht në vepren e tij programatike “Besimi im pedagogjik” My Pedagogic Creed (1897) me të cilën i vuri bazat e pedagogjisë pragmatiste. Në këtë vepër ai e konceptoi tërë doktrinën e tij pedagogjike. Vepra në fjalë fillon me thënien e famshme të Djuit: Unë besoj se... ( Në këtë vepër të shkurtër 75 paragrafë fillojnë me fjalën, unë besoj...)[14]  Më vonë shkroi edhe  vepra të tjera me karakter pedagogjik ndër të cilat më të njohurat janë: “Shkolla dhe shoqëria” School and Society (1900), “Fëmija dhe kurrikula” The Child and Curriculum (1902), “Demokracia dhe edukimi” Democracy and Education (1916), “Përvoja dhe edukata” Experience and Education (1938).[15] “Shkenca mbi edukatën është pedagogjia, theksonte Djui. Edhe ajo, sikurse shkencat tjera, buron nga filozofia, dhe e arsyeton veten vetëm atëherë, kur i shërben praktikës, qoftë në mënyrë direkte, qoftë në mënyrë indirekte. Shkenca e pedagogjisë mbështetet dhe shfrytëzon praktikën pedagogjike, e cila është fillimi dhe mbarimi i të gjithave, vijonte ai. Nga ana tjetër, pedagogjia është e orientuar dhe mbështetet edhe në shkenca të tjera, sidomos: në psikologji, sociologji dhe filozofi. Pedagogjinë ai e definoi si  teori të përgjithshme të edukatës “.[16] Doktrinën pedagogjike të Djuit e përbëjnë 5 kategori kryesore e që janë: 1. Progresivizmi, 2. Instrumentalizmi, 3.Rikonstruksionizmi, 4. Pedocentrizmi dhe 5. Aktivizmi.[17]

Edukata- Në veprën “Besimi im pedagogjik” Djui mes tjerash thot :”Unë besoj se gjithë edukimi zhvillohet nga pjesëmarrja e individit në vetëdijen shoqërore të njerëzimit. Ky proces fillon në mënyrë të pavetëdijshme pothuajse në lindje, dhe është vazhdimisht në formim të forcave të individit, në ngarkimin e vetëdijes, në formimin e shprehive të tij, në trajnimin e ideve të tij, dhe në nxitjen e ndjenjave dhe emocioneve të tij.” Kurse më tutje thot: Edhe (G.B.) “Edukimi më formal e më teknik në botë me siguri nuk mundet të shmanget nga ky proces i përgjithshëm. Ai mund vetëm ta organizoj atë; ose ta diferencojë atë në ndonjë drejtim të veçantë”.[18] Në një rast tjetër thekson : “ Demokracia do të lindet në çdo gjeneratë dhe edukimi është mamia e saj”[19] Në veprën Demokracia dhe edukata Djui e konsideron edukatën si nevojë jetësore ( education as a necessity of life). Po në këtë vepër ai mes tjerash thot: “ Çka është ushqimi dhe riprodhimi për jetën fiziologjike i tillë është edukimi për jetën shoqërore. Ky edukim konsiston në radhë të parë në transmetimin përmes komunikimit. ( Komunikimi është proces i këmbimit të përvojës gjersa ajo të bëhet pronë e zakonshme.)” [20] Djui thoshte edhe se edukimi është rikonstruksion i vazhdueshëm i përvojës[21] së individit. ( Këtu shihet ndikimi i pikëpamjeve të psikologut amerikan Stenli Holl dhe të teorisë së tij të rekapitullimit ). Sipas tij edukata nuk duhet të kufizohet vetëm në të tashmen por duhet të ketë parasysh edhe zhvillimin e ardhshëm. Ai u angazhua edhe për koncepsionin e edukimit dhe arsimimit permanent. Edukimi i njeriut fillon nga lindja dhe vijon gjatë gjithë jetës së tij. Ai madje thoshte se është absurde të mendosh se edukimi duhet të ndërpritet pas moshës shkollore dhe shtonte se edukimi i vërtetë fillon pikërisht atëherë, kur ne kemi përfunduar arsimin shkollor. Në këtë kuadër, ai theksonte rëndësinë dhe përparësitë që ka edukimi dhe arsimimi jashtëinstitucional, siç janë karakteri i drejtpërdrejtë i tij, vitaliteti dhe efikasiteti i tij, etj. Djui u morr edhe me qëllimin e edukatës sipas të cilit ai është përpunimi dhe përparimi i përvojës së të rinjve, në mënyrë që ata aktivisht të inkuadrohen në rrjedhat e jetës shoqërore. Qëllimi i edukatës duhet të ndërtohet gjithherë në praktikën edukative sepse në të kundërtën ajo do të shndërrohet në veprimtari rutinore empirike. Qëllimi i edukatës duhet të ndërlidhet me mjetet dhe metodat e saj.[22]
Shkolla- Shkolla e mirëfilltë sipas Djuit është institucion shoqëror. Ajo është “mjedis i veçantë”[23] i jetës shoqërore. Shkolla është bashkësi ( School is society ), konsideronte ai. Shkolla ka organizimin e vet të brendshëm, jetën sociale të thjeshtësuar, në mënyrë që fëmijët (nxënësit) ta kuptojnë më lehtë dhe më mirë ndërlikueshmërinë e jetës reale. Kështu shkolla duhet të jetë “bashkësi në miniaturë, shoqëri në zanafillë”.[24] Djui theksoi dy detyra themelore të shkollës. Detyra e parë ka të bëjë me fëmijën ( nxënësin ), me përmbajtjen e përvojës së tij, të cilën ai e përvetëson në kontakt të vazhdueshëm me rrethin shoqëror e fizik të tij, ndërsa detyra e dytë ka të bëjë me metodikën e arritjes së përvojës, ku në mënyrë të veçantë vlerësohet përvoja, që arrihet përmes zgjidhjes së problemeve.[25] Ai u angazhua për shkollë për fëmijë e jo për fëmijë për shkollë, që d.m.th. se shkolla duhet tu përshtatet fëmijëve e jo fëmija shkollës. Krahas nxënësit, Djui çmoi rolin dhe personalitetin e mësimdhënësit, i cili siç konsideronte ai, duhet të jetë krenar për punën dhe profesionin e vet. Arsimtari duhet të jetë profet i së vërtetës hyjnore dhe portier i mbretërisë të së vërtetës hyjnore, i cili është edhe model i përkryerjes së edukatës. Djui ishte për harmoni midis autoritetit të mësuesit dhe lirisë së nxënësit.

Mësimi- Duke u mbështetur në procesin e zgjidhjes së situatave problemore dhe fazave (etapave) të tij, nëpër të cilat kalon procesi i njohjes ( 1.Paraqitja apo hetimi i vështirësisë së caktuar;2.Zbulimi dhe parashtrimi ose definimi i saj; 3.Paraqitja e zgjidhjeve të mundshme; 4.Nxjerrja e përfundimeve nga zgjidha hipotetike, dhe 5.Eksperimentimi për të provuar vërtetësin e hipotezës së parashtruar), Djui përcaktoi edhe shkallët themelore didaktike nëpër të cilat kalon artikulimi i procesit mësimor:1.Paraqitja e dukurisë së re e të panjohur (vështirësia), 2.Vëzhgimi i dukurisë dhe zbulimi i problemit, 3.Parashtrimi i hipotezës (zgjidhja e mundshme intelektuale e problemit), 4.Verifikimi i hipotezës në mënyrë praktike dhe 5.Përfundimi. Shikuar nga ky aspekt nxënësi në procesin mësimor vihet në pozita të hulumtuesit kurse vetë procesi mësimor identifikohet me procesin e hulumtimit. Me rastin e përcaktimit dhe hartimit të planprogrameve (kurrikulave) mësimore duhet marrë parasysh edhe interesat dhe afinitetet e nxënësve, duke e vendosur nxënësin në qendër të procesit mësimor. Ai ishte edhe kundër mësimit libresk-tekstual, kurse e përkrahu të nxënit përmes aktivitetit-veprimit të nxënësit (learning by doing).[26]

Përfundim:
            Unë besoj se ”Djui ishte pedagogu më i shquar amerikan dhe njëri ndër pedagogët më të shquar botëror” i cili kontribuoi në transformimin e shkollës dhe të pedagogjisë tradicionale. Ai kërkoi dhe punoi që shkolla të shndërrohet në punëtori, (në të cilën nuk ka disiplinë strikte po zhurmë pune), në të cilën fëmija (nxënësi) përgatitet për shoqëri e jetë reale. Ai kontribuoi që shkolla të shndërrohet në një institucion për nxënës, t’i përshtatet përvojës dhe interesave të tij. Shkolla pragmatiste e Djuit shquhej edhe për vetëqeverisjen e nxënësve të saj”[27].
            Unë besoj se - nën ndikimin e tij ishin pedagog të njohur si në SHBA – V. Kilpatriku, Xh. Çajldsi, B. Boudi etj. në Gjermani - Georg Kërshenshtajneri, në Francë – Kompere, Delakroa, Dyrkemi, Kuzine, Frene etj. në Zvicër - Klaparedi dhe Ferrieri, në Angli – Findlay etj. në Itali – Salvini etj. në Belgjikë – Dekroli etj.  pastaj  edhe pedagog të tjerë në vendet si Japonia, Kina, India, Turqia, Meksika, ish BRSS[28]. Nën ndikimin e tij ishin edhe pedagog e intelektual të fushave tjera mes të cileve do përmendim: George Santayana, Richard Rorty, Hilary Putnam, Cornel West, Jurgen Habermas, Sidney Hook, Noam Chomsky, Hu Shi, Thorstein Veblen, Mordecai Kaplan, Maxine Greene[29] etj.
            Unë besoj se - kontributi i Djuit njihet si mjaft i çmuar pothuajse në çdo aspekt të filozofisë. Veprimtaria e gjithmbarshme intelektuale e tij përfshinë një hark kohor prej rreth gjashtë dekadave ( gjashtëdhjetë vjet ), gjatë së cilës shkroi mbi 700 artikuj në 140 revista dhe afërsisht 40 libra.[30] Përveç rolit të tij si krijues i psikologjisë, funksionalistikës dhe biheivioriste, vlerësohen si të rangut më të lartë shkrimet e lëna mbi traditat empiriste, natyraliste e fusha të tjera të filozofisë, madje ai radhitet si njëri nga filozofët më të mëdhenj të epokës sonë mbi subjekte të tilla si pedagogjia dhe edukimi, filozofia e mendjes, metafizika, epistemologjia, filozofia e shkencës dhe filozofia social-politike, madje gjer në atë masë sa radhitet përkrah figurave më të mëdha filozofike duke filluar nga Russell, Wittgenstein e Haidegger, e deri tek Sartre e Quine[31], kurse në historinë e edukimit ai radhitet krahas me Platonin, Aristotelin, Jan Amos Komenskin, Johan Hajnrih Pestalocin, Johan Fridrih Herbartin, Xhon Llokun, Zhan Zhak Ruson etj.

Më 10 tetor 2009




https://www.youtube.com/watch?v=6MlHSgC_SnU

[1] http://www.bgsu.edu/departments/acs/1890s/dewey/dewey.html, 4.10.2009
[2] John Dewey (1859-1952),marrë nga; http://www.utm.edu/research/iep/d/dewey.htm
4.10.2009
[3] John Dewey,1859-1952,by Pam Ecker marrë nga : http://www.bgsu.edu/departments/acs/1890s/dewey/dewey.html, 4.10.2009
[4] John Dewey (1859-1952), marrë nga
http://www.utm.edu/research/iep/d/dewey.htm
4.10.2009
[5] John Dewey (1859-1952), marrë nga: http://www.utm.edu/research/iep/d/dewey.htm
4.10.2009
[6] John Dewey 1859-1952, by Pam Ecker marrë nga : http://www.bgsu.edu/departments/acs/1890s/dewey/dewey.html 4.10.2009
[7] John Dewey,1859-1952,by Pam Ecker marrë nga : http://www.bgsu.edu/departments/acs/1890s/dewey/dewey.html 4.10.2009
[8] http://en.wikipedia.org/wiki/John_Dewey
4.10.2009
[9] John Dewey (1859—1952), marrë nga: http://www.iep.utm.edu/dewey/  4.10.2009
[10] John Dewey, American Pragmatist, marrë nga: http://dewey.pragmatism.org/
4.10.2009
[11] Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, Historia e Pedagogjisë Botërore, vëllimi II, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1998, fq. 206
[12] John Dewey, http://en.wikipedia.org/wiki/John_Dewey, 4.10.2009 si dhe; Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, Historia e Pedagogjisë Botërore, vëllimi II, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1998, fq. 204
[13] Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, Historia e Pedagogjisë Botërore, vëllimi II, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1998, fq. 204
[14] John Dewey, Shkolla dhe Shoqëria ( Kredoja ime pedagogjike-në vend të parathënies), Shtëpia botuese;Plejad, Tiranë, 2003
[15] John Dewey, http://en.wikipedia.org/wiki/John_Dewey, 4.10.2009
[16] Dzon Djui; Vaspitanje i demokratija, Obod, Cetinje, 1969, fq.230-231, cituar sipas, Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, Historia e Pedagogjisë Botërore, vëllimi II, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1998, fq. 210
[17] Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, Historia e Pedagogjisë Botërore, vëllimi II, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1998, fq. 209
[18] John Dewey, Kredoja ime pedagogjike, shih pjesën: (në vend të parathënjes) në veprën; Shkolla dhe shoqëria, Plejad, Tiranë, 2003, fq.11
[19] John Dewey and Progressive Education, marrë nga; http://www.bgsu.edu/departments/acs/1890s/dewey/educ.html 4.10.2009
[20] John Dewey, http://en.wikipedia.org/wiki/John_Dewey, 4.10.2009
[21] Dzon Djui; Vaspitanje i demokratija, Obod, Cetinje, 1969, fq. 59
[22] Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, Historia e Pedagogjisë Botërore, vëllimi II, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1998, fq. 210
[23] Dzon Djui; Vaspitanje i demokratija, Obod, Cetinje, 1969, fq. 18, cituar sipas, Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, Historia e Pedagogjisë Botërore, vëllimi II, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1998, fq. 211
[24] Prof. Dr. Hajrullah Koliqi, Historia e Pedagogjisë Botërore, vëllimi II, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 1998, fq. 211
[25] Po aty, fq. 211
[26] Po aty, fq. 212-213
[27] Po aty, fq. 215
[28] Po aty, fq. 204 dhe 215
[29] John Dewey, http://en.wikipedia.org/wiki/John_Dewey, 4.10.2009
[30] John Dewey, http://en.wikipedia.org/wiki/John_Dewey, 4.10.2009
[31] John Dewey, Shkolla dhe shoqëria, (Reformator i madh i një ere të re), Plejad, Tiranë, 2003, fq.10


No comments:

Post a Comment